Aksioni për largimin e mbeturinave inerte në territorin e Komunës së Malishevës po vazhdon edhe pas përfundimit të muajit të ambientit, duke u shtrirë në vendbanime të ndryshme të komunës.
Sot, ky aktivitet është realizuar në fshatin Kërvasari, ku janë larguar mbeturinat inerte nga disa lokacione që ishin shndërruar në deponi ilegale ndër vite. Ky intervenim ka për qëllim përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe rikthimin e hapësirave publike në gjendje të pastër dhe të sigurt për banorët.
Sipas nënkryetarit të Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, aksioni po zhvillohet me sukses dhe do të vazhdojë pa ndërprerje. Ai theksoi se qëllimi është që të pastrohen të gjitha pikat e evidentuara me mbeturina inerte në të gjithë territorin e komunës.
Ky aksion është pjesë e përkushtimit të komunës për një ambient më të pastër dhe më të shëndetshëm, duke u bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e mjedisit dhe të shmangin hedhjen e mbeturinave në vende të palejuara.