Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) në Malishevë, pas formimit nga Kuvendi i Komunës, dhe i udhëhequr nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot mbajti takimin e parë për këtë vit. Në këtë takim u vlerësua situata e përgjithshme e sigurisë në komunë, e cila u cilësua si e qetë, stabile dhe pa tendenca për përkeqësim.
Me këtë rast, kryetari Kastrati falënderoi të gjitha institucionet përgjegjëse për ruajtjen e sigurisë publike, jetës dhe pronës së qytetarëve në Komunën e Malishevës, përfshirë Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe organet e tjera relevante.
Situata e qetë dhe stabile u konfirmua edhe nga raporti i komandantit të Stacionit Policor në Malishevë, Nazmi Zogaj, i cili tha se nuk ka asnjë indikacion që cenon sigurinë e përgjithshme në komunë.
Po ashtu, marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike u vlerësuan në nivel shumë të mirë, duke u theksuar bashkëpunimi i shkëlqyer ndërfetar dhe integrimi i mirë i komuniteteve etnike në shoqëri.
Në këtë mbledhje u diskutua edhe për situatat e ndryshme emergjente, si menaxhimi i etheve hemorragjike, përgatitjet për parandalimin e zjarreve dhe përballimin e vërshimeve. U vlerësua se këto situata janë menaxhuar mirë, megjithatë u theksua nevoja për shtim të stafit, veçanërisht në sektorin e zjarrfikësve.
Gjithashtu, u vlerësua pozitivisht edhe formimi i grupeve të vullnetarëve, të cilët ndihmojnë institucionet në raste të ndryshme emergjente.