Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Muajit Rozë-Ndërgjegjësimi Kundër Kancerit të Gjirit, në Malishevë është organizuar ecja tradicionale, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për rëndësinë e parandalimit, zbulimit të hershëm dhe luftimit të kancerit të gjirit.
Në këtë aktivitet morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Drejtori i DSHMS, Amrush Helshani, zyrtarja për Barazi Gjinore, Vera Bytyçi, drejtori i QKMF-së, Dardan Bytyçi, zyrtarë të Policisë së Kosovës në Malishevë, përfaqësues të organizatave joqeveritare, nxënës dhe mësimdhënës nga shkollat fillore dhe të mesme, si dhe qytetarë të tjerë, të cilët u bashkuan për të përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe ndërgjegjësimit për këtë sëmundje.
Ecja tradicionale synon të promovojë rëndësinë e kontrolleve të rregullta shëndetësore dhe të inkurajojë gratë që të kujdesen për shëndetin e tyre, duke kërkuar këshilla mjekësore dhe duke kryer kontrolle me kohë. Përmes këtij aktiviteti, u përcoll mesazhi se informimi, parandalimi dhe zbulimi i hershëm janë hapa të rëndësishëm në luftën kundër kancerit të gjirit.
Aktiviteti u organizua nga Zyra për Barazi Gjinore, në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale dhe Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë.
“Muaji Rozë” shërben si një thirrje për gjithë shoqërinë që të tregojë më shumë kujdes, mbështetje dhe solidaritet me gratë që përballen me kancerin e gjirit, si dhe të kontribuojë në rritjen e vetëdijes për rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe diagnostikimit të hershëm.
Në fjalët e tyre, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, Drejtori i QKMF-së, Dardan Bytyçi, dhe folësit tjerë, dhanë mesazhe të qartë se: kujdesi për shëndetin, informimi dhe zbulimi i hershëm mund të shpëtojnë jetë.