Sot, në ambientet e Komunës së Malishevës, është mbajtur punëtoria në kuadër të procesit të hartimit të Strategjisë Zhvillimore të Komunës së Malishevës, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Malishevës dhe Universitetit “Haxhi Zeka”.
Punëtoria është udhëhequr nga profesorët universitarë Brahim Hoxha, Elvis Elezaj dhe Granit Kastrati, ndërsa në të kanë marrë pjesë drejtorët e drejtorive komunale.
Me këtë rast, nënkryetari i Komunës së Malishevës, Vesel Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e hartimit të këtij dokumenti për orientimin e zhvillimit të komunës.
“Strategjia Zhvillimore Komunale është një dokument me rëndësi të madhe strategjike për zhvillimin e komunës sonë. Studimi i fizibilitetit, i realizuar nga profesionistët e Universitetit ‘Haxhi Zeka’, na ofron një pasqyrë më të qartë të gjendjes aktuale dhe një bazë të mirë për orientimin e politikave zhvillimore, pasi bëhet fjalë për një studim shumëdimensional”, ka thënë nënkryetari Krasniqi në hapje të punëtorisë.
Gjatë punëtorisë është prezantuar studimi i realizuar nga profesorët e Universitetit “Haxhi Zeka”, i cili shërben si bazë për hartimin e Strategjisë Zhvillimore. Po ashtu, është diskutuar për mundësitë, potencialet dhe prioritetet e zhvillimit të Komunës së Malishevës, si dhe për përcaktimin e objektivave dhe drejtimeve kryesore që do të përfshihen në këtë dokument strategjik.