Komuna e Malishevës po vazhdon mbajtjen e dëgjimeve buxhetore në të gjitha fshatrat e saj, duke u takuar me qytetarët me qëllim që hartimi i projekt buxhetit për vitin 2026 të bazohet në kërkesat dhe nevojat e tyre, si dhe që qytetarët të jenë të informuar rreth planifikimit buxhetor.
Gjatë mbrëmjes së djeshme janë mbajtur takime me qytetarë të Këshillave Lokale të Kijevës, Bubavecit dhe Gollubovcit, si dhe të Turjakës dhe Lubizhdës, ku është bërë prezantimi i qarkores afatmesme buxhetore 2026–2028, me theks të veçantë për vitin 2026.
Në këto takime, zyrtarët komunalë përgjegjës, përkatësisht drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, prezantoi projekt buxhetin dhe njoftoi qytetarët pjesëmarrës për ndarjet buxhetore. Për sa i përket investimeve kapitale, ai bëri të ditur se ndarja fillestare buxhetore për këtë fushë është rreth 5.3 milionë euro, por planifikohet që kjo shumë të rritet përmes të hyrave të tjera, duke arritur deri në 8 milionë euro.
Gjatë konsultimeve me banorët, ata theksuan nevojën për orientimin e investimeve në infrastrukturë, siç janë rrugët, trotuaret dhe, mbi të gjitha, ndërtimi i kanalizimeve, me theks të veçantë në largimin e ujërave të zeza dhe lidhjen e tyre me kolektorin kryesor. Një tjetër kërkesë me rëndësi ishte edhe investimi në bujqësi, qoftë përmes subvencioneve, qoftë përmes hapjes së rrugëve fushore, të cilat lehtësojnë qasjen në tokat e punuara.