Këshilli i Kryetarëve të qytetit Meyrin, kantoni i Gjenevës në Zvicër, po qëndron këto ditë për vizitë në Komunën e Malishevës, ku është pritur nga kryetari i komunës, Ekrem Kastrati. Me këtë rast, kryetari Kastrati ka deklaruar se “pas një miqësie të gjatë, tashmë do të fillohet edhe me procedurat për zyrtarizimin e binjakëzimit me Meyrin-in”.
Delegacioni nga Meyrin përbëhet nga anëtarët e Këshillit të Kryetarëve: Laurent Tremblet, Xhevrie Osmani dhe Damien Baptiste Boccard. Ata shoqëroheshin nga Hysri Halimi, kryetar i shoqatës “Rrethi Shqiptaro-Merinas”, si dhe anëtar i asamblesë së Meyrin-it, Claudio Angius, drejtor i shërbimit të mirëmbajtjes në Meyrin, Sadik Asllani, ekspert dhe përgjegjës për makineri, dhe Agim Paçarizi, aktivist nga Malisheva (ish-kryetar i LAPSH “Naim Frashëri” në Gjenevë dhe ish-kryetar i shoqatës “Rrethi Shqiptaro-Merinas” në Meyrin).
Delegacioni solli me vete një donacion domethënës me makineri për mirëmbajtjen e pastërtisë dhe hapësirave publike në qytetin e Malishevës.
Fillimisht, delegacionin e priti në zyrën e tij kryetari Kastrati, i cili në emër të qytetarëve të komunës falënderoi mysafirët për miqësinë që po forcohet çdo ditë e më shumë dhe për donacionin e dhuruar për Malishevën.
Në emër të Këshillit të Kryetarëve të Meyrin-it, Laurent Tremblet shprehu mirënjohjen për mikpritjen e jashtëzakonshme dhe për bashkëpunimin e gjatë mes dy komunave. Ai theksoi se ndihen krenarë që kanë pasur mundësinë të ndihmojnë Malishevën pas investimeve të mëdha që kanë ndryshuar pamjen e qytetit, duke e bërë më urban dhe modern.
Për nder të kësaj vizite, Kuvendi i Komunës së Malishevës mbajti një seancë solemne, ku fjalë rasti mbajtën kryetari i komunës Ekrem Kastrati, kryetari i Kuvendit të Komunës Argjend Thaçi dhe Laurent Tremblet në emër të Këshillit të Kryetarëve të Meyrin-it. Të gjithë ata vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes dy komunave, i cili po forcohet dita-ditës, falë edhe angazhimit të mërgatës shqiptare që jeton në Meyrin dhe kontribuon në këtë partneritet.
Më pas, në sheshin e qytetit u bë edhe ceremonia e pranimit dhe dorëzimit të makinerive për mirëmbajtjen e hapësirave publike në Malishevë.
Gjatë ditës, delegacioni nga Meyrin, i shoqëruar nga kryetari Kastrati, vizitoi disa institucione arsimore, çerdhet publike, si dhe shërbimin e zjarrfikësve dhe të shpëtimit në Malishevë.