Në kuadër të bashkëpunimit dhe bashkëfinancimit mes Komunës së Malishevës dhe organizatës Islamic Relief, sot është realizuar shpërndarja e mekanizmit bujqësor për fermerët përfitues nga kjo komunë. Pajisjet e shpërndara përfshijnë multikultivatorë, makina mbjellëse për grurë dhe misër, spërkatëse, freza, ndërsa më herët fermerët kishin përfituar edhe serra bujqësore.
Me këtë rast, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka uruar përfituesit dhe ka falënderuar Islamic Relief për bashkëpunimin. “Zhvillimi i bujqësisë dhe rritja e kapaciteteve prodhuese është një nga prioritetet tona, me synimin që tregu të furnizohet me produkte vendore dhe ushqimi në sofrat tona të vijë nga toka jonë. Përkrahja e sektorit bujqësor do të vazhdojë, pasi është njëra nga degët më të rëndësishme të zhvillimit ekonomik të komunës sonë,” tha kryetari Kastrati.
Drejtoresha e programit në Islamic Relief Kosovë, Albulena Gashi, përgëzoi fermerët përfitues dhe falënderoi Komunën e Malishevës për bashkëpunimin. “Jemi të vetëdijshëm që nevojat janë më të mëdha se kaq, prandaj angazhimi ynë në përkrahje të bujqësisë do të vazhdojë edhe në të ardhmen,” u shpreh ajo.
Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë për Bujqësi në Komunën e Malishevës, Sylë Dukolli, bëri të ditur se nga ky program kanë përfituar gjithsej:
- 58 serra me sipërfaqe 50 m²,
- 15 serra me sipërfaqe 100 m²,
- 50 multikultivatorë,
- 25 spërkatëse,
- 15 makina për mbjelljen e misrit,
- 13 makina për mbjelljen e grurit,
- 27 freza.
Dukolli shprehu mirënjohje për bashkëpunimin dhe punën e palodhur të zyrtarëve të Islamic Relief dhe zyrtarëve të drejtorisë për bujqësi.