Me iniciativën e Zyrës për Barazi Gjinore, është mbajtur një takim i zgjeruar me pjesëmarrjen e përfaqësuesve nga institucione të ndryshme, përfshirë sektorin e arsimit, shëndetësisë, QPS-në, policinë, shkollat, Zyrtarin për Ndihmë Juridike Falas si dhe bashkëpunëtorë të tjerë të zyrës.
Hapja zyrtare e kësaj nisme është realizuar në ambientet e bibliotekës, jo rastësisht, duke e lidhur atë me bazën e edukimit dhe arsimimit, si faktorë të rëndësishëm në parandalimin e dhunës. Të pranishëm ishin edhe pjesëmarrës të interesuar, të cilët janë lexues të librave që trajtojnë sfidat dhe sukseset e grave që kanë arritur të jenë të njohura në jetën shoqërore dhe politike.
Gjatë takimit, secili nga pjesëmarrësit, në bazë të fushës së tij të veprimtarisë, dha kontributin e vet në diskutim, i cili u vlerësua si i frytshëm dhe konstruktiv për krijimin e një mjedisi më të sigurt dhe më të barabartë për të gjithë.
Po ashtu, nxënësit pjesëmarrës lexuan ese të përgatitura prej tyre lidhur me parandalimin e dhunës në familje, të vendosura në këndin e leximit të bibliotekës, duke dhënë një mesazh të fortë ndërgjegjësimi dhe reflektimi.
Është theksuar se përgjatë 16 ditëve në vijim do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera ndërgjegjësuese, të cilat synojnë parandalimin e dhunës në familje dhe promovimin e barazisë gjinore në shoqëri.