Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport (DKRS), Teuta Miftari-Mazreku, së bashku me zyrtarin për kulturë, Mehdi Krasniqi dhe zyrtaren për rini, Afërdita Duraku, kanë zhvilluar një vizitë pune në Institutin për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës (IMMK) në Prizren, ku janë pritur nga drejtori i institucionit, Samir Hoxha.
Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i kërkesave të paraqitura nga qytetarët dhe institucionet për marrjen nën përkujdesje shtetërore, si dhe për meremetimin dhe restaurimin e objekteve me vlerë të trashëgimisë kulturore në komunë.
Gjatë takimit, palët diskutuan edhe për forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe organizimin e ligjëratave edukative në tri shkollat e mesme të komunës, me synim ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë për rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.
Drejtori i IMMK-së, Samir Hoxha, theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Ai njoftoi për ecurinë e lëndëve të dërguara nga DKRS-ja në këtë institucion, duke vënë në pah nevojën për shtim të përkujdesjes ndaj monumenteve të trashëgimisë kulturore.
Po ashtu, përfaqësuesit e DKRS-së kërkuan nga IMMK-ja sigurimin e dokumentacionit të nevojshëm për objektet dhe monumentet me vlerë kulturore, me qëllim evidentimin, ruajtjen dhe trajtimin adekuat të tyre.