Me nderime të larta shtetërore dhe institucionale, sot iu dha lamtumira e fundit pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Rexhep Zenel Gashi, i cili ndërroi jetë në krye të detyrës.
Në ceremoninë mortore morën pjesë kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, drejtues të lartë të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar, ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike, përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, bashkëluftëtarë, kolegë, familjarë, miq dhe një numër i madh qytetarësh, të cilët i bënë nderimet e fundit, policit Rexhep Gashi.
Në emër të Komunës së Malishevës, para të pranishmëve foli kryetari Ekrem Kastrati, i cili, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Gashi, tha se ndarja nga jeta e Rexhep Zenel Gashit është një humbje e madhe jo vetëm për familjen e tij, por edhe për Policinë e Kosovës, Malishevën dhe gjithë vendin.
Kryetari Kastrati vlerësoi jetën dhe kontributin e Rexhep Gashit, duke theksuar se ai i përkiste brezit që iu përgjigj thirrjes së atdheut në kohët më të vështira dhe se edhe pas luftës vazhdoi t’i shërbejë Republikës së Kosovës me nder, përgjegjësi dhe përkushtim si pjesëtar i Policisë së Kosovës, deri në frymën e fundit.
Me këtë rast u theksua edhe simbolika prekëse e ndarjes së tij nga jeta, pikërisht 24 vjet pas diplomimit në Policinë e Kosovës, në të njëjtën datë, duke e përmbyllur misionin e tij në shërbim të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës.
Në fund të ceremonisë, familjarët, kolegët, bashkëluftëtarët, përfaqësuesit institucionalë dhe qytetarët i dhanë lamtumirën e fundit Rexhep Zenel Gashit, duke nderuar me respekt jetën, veprën dhe shërbimin e tij ndaj atdheut.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Rexhep Zenel Gashin!