Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Malishevës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka ndërmarrë sot veprime për largimin e pengesave të vendosura në rrugë në fshatin Marali, pas kërkesave të shumta të qytetarëve lidhur me këtë çështje.
Sipas Drejtorisë së Inspektoratit, nga pengesat e vendosura, njëra kishte pëlqim paraprak, por nuk i kishte respektuar standardet dhe kriteret e kërkuara për vendosjen e saj. Përkundër vërejtjeve dhe afateve të caktuara nga Inspektorati për përmbushjen e kërkesave, ato nuk janë respektuar, prandaj është bërë ndërhyrja përkatëse në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Drejtori i Drejtorisë së Inspektoratit, Jakup Gashi, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të mos vendosin pengesa në rrugë pa pëlqim paraprak dhe pa respektuar standardet dhe kriteret e përcaktuara.
Po ashtu, ai ka theksuar se çdo prerje, dëmtim apo ndërhyrje në rrugë pa pëlqim paraprak është e kundërligjshme dhe e ndëshkueshme.
Drejtoria e Inspektoratit apelon tek qytetarët që t’i respektojnë procedurat dhe kërkesat ligjore, në mënyrë që të evitohen problemet dhe të mos jetë e nevojshme ndërhyrja e organeve kompetente.