Komuna e Malishevës, përkatësisht Drejtoria për Buxhet dhe Financa, ka përmbyllur ciklin e dëgjimeve publike për hartimin e projektbuxhetit Komunal 2027-2029, me fokus të veçantë në buxhetin e vitit 2027. Dëgjimet janë organizuar në bazë të obligimeve ligjore dhe me vendim të Kryetarit të Komunës, Ekrem Kastrati, me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në procesin e planifikimit buxhetor dhe identifikimin e prioriteteve zhvillimore të komunës.
Takimet me qytetarët janë udhëhequr nga drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Blerim Thaçi, dhe Zyrtarja Kryesore Financiare, Valentina Krasniqi, ndërsa sipas nevojës në dëgjime kanë marrë pjesë edhe drejtorë të drejtorive komunale, përfshirë Amrush Helshanin, Jakup Gashin, Sylë Dukollin, Nuredin Hoxhën, Rifat Mazrekun dhe zyrtarë të tjerë.
Në secilin takim, drejtori Thaçi ka prezantuar Kornizën Buxhetore 2027-2029 dhe planifikimet për vitin 2027. Sipas projektimit, buxheti për vitin 2027 arrin në 23.161.855 euro, ndërsa për investime kapitale janë planifikuar 5.694.258 euro.
Gjatë prezantimeve, ai ka sqaruar edhe sfidat me të cilat përballet buxheti komunal, duke veçuar ndikimin e lëndëve përmbarimore që rrjedhin nga kontrata kolektive, inflacionin dhe faktorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në realizimin e investimeve kapitale, subvencioneve dhe kategorive të tjera buxhetore.
Në kuadër të këtij procesi janë mbajtur gjithsej 15 dëgjime publike, me qytetarë në vendbanime, si dhe me grupe të interesit, përfshirë sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe organizatat joqeveritare. Në këto dëgjime pjesëmarrësit kanë paraqitur propozimet, kërkesat dhe vërejtjet e tyre për orientimin e buxhetit komunal.
Shumica e kërkesave të qytetarëve kanë qenë të përqendruara në investimet infrastrukturore, si ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve, trotuareve, zgjerimi i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimeve dhe ndriçimit publik. Po ashtu, janë paraqitur edhe propozime për rritjen e investimeve në bujqësi dhe sektorë të tjerë që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik lokal.
Propozimet dhe kërkesat e mbledhura gjatë dëgjimeve publike do të shqyrtohen nga Drejtoria për Buxhet dhe Financa gjatë procesit të finalizimit të Projektbuxhetit Komunal 2027-2029, me synimin që dokumenti përfundimtar të pasqyrojë sa më mirë nevojat dhe prioritetet e qytetarëve të Komunës së Malishevës.