Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, sot janë zhvilluar një sërë aktivitetesh për nder të Festave të Nëntorit, me theks të veçantë në shënimin e 28 Nëntorit, datës që përmbledh disa nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.
Me këtë rast, Komuna e Malishevës ka organizuar mbledhje solemne, ndërsa janë bërë homazhe dhe nderime pranë varrezave të dëshmorëve në Malishevë dhe në Kleçkë, në kujtim të të gjithë atyre që kontribuuan dhe sakrifikuan për lirinë e vendit.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati, theksoi rëndësinë historike dhe kombëtare të kësaj date, duke e cilësuar 28 Nëntorin si simbol të historisë, kujtesës dhe krenarisë shqiptare.
“28 Nëntori nuk është thjesht një datë në kalendar, por është histori, kujtesë dhe krenari. Është rikthim në rrënjët tona dhe rrugëtimi i popullit shqiptar për liri dhe pavarësi”, u shpreh Kastrati.
Ai rikujtoi ngjarjet e mëdha historike që lidhen me këtë datë, duke përmendur ngritjen e flamurit në Krujë, shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, lindjen e Komandantit Legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, më 28 Nëntor 1955, si dhe paraqitjen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 28 Nëntor 1997.
Kryetari Kastrati, në këtë ditë përkujtimore, përsëri shprehi shqetësimin tonë si komb për mungesën e krerëve të luftës dhe figurave kyçe të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, të cilët vazhdojnë të qëndrojnë padrejtësisht në Hagë.
Fjalë rasti mbajti edhe kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Fatmir Ademaj, i cili foli për rëndësinë e 28 Nëntorit, ngjarjet historike që e karakterizojnë këtë datë dhe përpjekjet e vazhdueshme të popullit shqiptar për liri.
Ndërkaq, në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, foli Kastriot Berisha nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve, i cili theksoi se 28 Nëntori përfaqëson një nga datat më domethënëse të historisë shqiptare, pasi në të janë ndërthurur ngjarje që kanë shënuar rrugëtimin kombëtar.