Kryetari i Komunës së Malishevës Ekrem Kastrati, ka ndarë mirënjohje për Mirlinda Berishën, në shenjë vlerësimi për kontributin e saj në fushën e mjekësisë dhe kërkimit shkencor, si dhe për sukseset profesionale që promovojnë emrin e Komunës së Malishevës në arenën ndërkombëtare.
Mirlinda Berisha është e angazhuar në Hôpital Saint-Louis në Paris, Francë, ku punon në fushën e kërkimit klinik dhe është pjesë e Qendrës Kombëtare të Referencës për Sëmundjen Castleman. Ajo kontribuon në kërkime në hematologji dhe në trajtimin e sëmundjeve të rralla. Punon në zbulimin dhe testimin e medikamenteve të reja te pacientët.
Puna e saj shkencore është pasqyruar edhe në publikime ndërkombëtare, ku figuron si bashkëautore në studime të kësaj fushe.
Kryetari Kastrati e falënderoi Berishën për përkushtimin dhe arritjet e saj, duke theksuar se suksesi i profesionistëve nga Malisheva është krenari për komunën dhe kontribuon në promovimin e emrit të saj përtej kufijve të Kosovës.
Komuna e Malishevës vlerëson qytetarët e saj që me dijen, punën dhe sukseset e tyre përfaqësojnë denjësisht vendlindjen në arenën ndërkombëtare.